Ligji 31/2019 date 17.06.2019 PËR DISA SHTESA NË LIGJIN NR. 9920, DATË 19.5.2008, “PËR PROCEDURAT TATIMORE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI:
Në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa:
Neni 1
Në nenin 59, pas pikës 1/1 shtohen pikat ½ dhe 1/3 me këtë përmbajtje:
“1/2. Tatimpaguesit persona fizikë tregtarë, të regjistruar për tatimin mbi vlerën e shtuar, tatimpaguesit persona juridikë, pavarësisht nga qarkullimi që realizojnë, si dhe organizatat jofitimprurëse të regjistruara në organin tatimor, janë të detyruar të kenë llogari bankare të biznesit/organizatës së regjistruar dhe ta deklarojnë atë në administratën tatimore.
1/3. Tatimpaguesit e regjistruar rishtas, janë të detyruar të hapin llogarinë bankare të biznesit/organizatës jo më vonë se 20 ditë kalendarike nga e nesërmja e regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit/administratën tatimore dhe ta deklarojnë atë në administratën tatimore.”.
Neni 2
Në nenin 120 shtohen paragrafët me këtë përmbajtje:
“Mospërmbushja e detyrimit të përcaktuar në pikën 1/2 dhe 1/3 të nenit 59, të këtij ligji nga tatimpaguesit dënohen si më poshtë:
a) për tatimpaguesit, persona fizikë tregtarë, të regjistruar për tatimin mbi vlerën e shtuar, me qarkullim deri në 8.000 000 (tetë milionë) lekë, gjobë në masën 25.000 lekë;
b) për tatimpaguesit persona juridikë, pavarësisht nga qarkullimi, si dhe tatimpaguesit persona fizikë tregtarë, me qarkullim mbi 8.000.000 (tetë milionë) lekë, gjobë në masën 50.000 lekë;
c) për organizatat jofitimprurëse, gjobë në masën 37.000 lekë. Në rast të vazhdimit të mosrespektimit të detyrimit të pikës 1/2 dhe 1/3, të nenit 59, të këtij ligji, edhe pas dënimit, sipas shkronjave “a”, “b” dhe “c”, të këtij paragrafi, tatimpaguesi dënohet me dyfishin e gjobës së parë.”.
Neni 3
Dispozitë kalimtare
Tatimpaguesit e regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit/administratës tatimore janë të detyruar të hapin llogarinë bankare, jo më vonë se 90 ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji dhe ta deklarojnë atë në administratën tatimore.
Neni 4
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Miratuar në datën 17.6.2019